Enti Shtetëror i STATISTIKËS

Raportet

Raporti i Komisionit Evropian

Vendi, në fushën e statistikës, ka arritur një nivel të përgatitjes ndërmjet mesatarës dhe të mirës. Është shënuar progres i caktuar, kryesisht në statistikat e tregut të punës dhe në dorëzimin e të dhënave statistikore në vëllim më të madh.

Kapitulli 18: Statistika

Statistikat evropiane zhvillohen, prodhohen dhe diseminohen nga vendet anëtare të BE-së, të udhëhequra nga parimet dhe kriteret e cilësisë të përcaktuara në Rregulloren për Statistikën Evropiane, siç janë pavarësia profesionale, paanshmëria, besueshmëria, disponueshmëria dhe konfidencialiteti statistikor. Janë parashikuar rregulla të përbashkëta për metodologjinë, prodhimin dhe diseminimin e informacionit statistikor, të cilat specifikohen më tej në legjislacionin sektorial që përbën të drejtën e BE-së për statistikat.

Vendi, në fushën e statistikës, ka arritur një nivel të përgatitjes ndërmjet mesatarës dhe të mirës. Është shënuar progres i caktuar, kryesisht në statistikat e tregut të punës dhe në dorëzimin e të dhënave statistikore në vëllim më të madh. Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar nuk u zbatuan plotësisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme. Gjatë vitit të ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti:

- ta përfundojë punën përgatitore për Regjistrimin e Bujqësisë që duhet të realizohet në vitin 2026;
- të vazhdojë të sigurojë kuadër dhe burime të mjaftueshme financiare për Entin Shtetëror të Statistikës;
- të vazhdojë me përmirësimin e statistikave makroekonomike, veçanërisht përmes sigurimit të transparencës së të dhënave statistikore, rritjes së përputhshmërisë, afatshmërisë dhe përfshirjes së procedurës për deficitin e tepërt dhe statistikën financiare të qeverisë, si dhe me harmonizimet e mëtejshme të llogarive financiare dhe llogarive kombëtare tremujore me Sistemin Evropian të Llogarive 2010 (ESA 2010).

Megjithëse infrastruktura statistikore vazhdon në masë të madhe mbetet e harmonizuar me legjislacionin e BE-së, kapacitetet njerëzore të Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS) paraqesin një sfidë të rëndësishme për zbatimin e suksesshëm. Transmetimi i të dhënave në Eurostat është përmirësuar gjatë periudhës raportuese, veçanërisht në fushat e Llogarive kombëtare, Statistikave sektoriale dhe Indekseve të çmimeve.
Sa i takon klasifikimeve dhe regjistrave, Klasifikimi Nacional i Veprimtarive (KNV) është përditësuar për t’u harmonizuar me NACE Rev. 2.1 dhe ka filluar të zbatohet nga janari i vitit 2025.

Në fushën e statistikave makroekonomike, seritë e llogarive vjetore dhe tremujore janë përditësuar dhe përmirësuar. Llogaritë kombëtare dhe përpilimi i të ardhurave kombëtare bruto (AKB) bazohen në standardet e Sistemit Evropian të Llogarive Kombëtare dhe Rajonale 2010 (ESA 2010). Enti Shtetëror i Statistikës vazhdoi me dorëzimin e rregullt të të dhënave për AKB dhe PBB tek Eurostati, në kuadër të programit të dorëzimit sipas ESA 2010. Megjithatë, nevojiten përmirësime të mëtejshme, veçanërisht përditësimi i inventarit të AKB-së, që paraqet detyrë të vazhdueshme për ESHS-në. Rekomandimet nga raporti i mëparshëm nuk janë zbatuar, pasi procedura për deficitin e tepërt (EDP) dhe statistikat e financave të qeverisë (GFS) ende nuk janë publikuar.

Statistikat afariste dhe tregtisë vazhdojnë të mblidhen rregullisht, veçanërisht statistikat afatshkurtra për industrinë dhe statistikat strukturore të ndërmarrjeve. Nevojitet punë e mëtejshme për të përmirësuar mbledhjen e të dhënave dhe raportimin e drejtpërdrejtë për tregtinë ndërkombëtare të shërbimeve.

Sa i përket statistikave sociale, saktësia është rritur pas rishikimit të vlerësimeve ndërmjet regjistrimeve të popullsisë, bazuar në rezultatet e regjistrimit të vitit 2021, dhe janë bërë përmirësime edhe në dorëzimin e statistikave të tregut të punës. Është arritur progres i caktuar në lidhje me anketën për të ardhurat dhe kushtet e jetesës (EU-SILC), me përmirësim të transmetimit të të dhënave dhe zbatimin e rekomandimeve dhe udhëzimeve për përgatitjen e anketës.

Sa i takon statistikave bujqësore, duhet të përfundohet statistika e integruar e ekonomive bujqësore. Është në vijim përgatitja për realizimin e regjistrimit të bujqësisë në vitin 2026, bazuar në pilot-regjistrimin e vitit 2022.

Në fushën e statistikave të energjisë dhe mjedisit jetësor, llogaritë ekonomike të pylltarisë u dorëzuan për herë të parë tek Eurostati.