Enti Shtetëror i STATISTIKËS

Aktualitet

Delegacioni i Entit Shtetëror të Statistikës mori pjesë në seancën e 57-të të Komisionit të Statistikave të OKB-së në Nju Jork

Takimi bashkoi drejtorët e institucioneve statistikore nga 193 vende për të diskutuar mbi sfidat kyçe dhe drejtimet e ardhshme të sistemit global statistikor

Delegacioni i Entit Shtetëror të Statistikës, i udhëhequr nga drejtori, Dr. Dejan Stankov, mori pjesë në seancën e 57-të të Komisionit të Statistikave të OKB-së, e cila është mbajtur nga 3 deri më 6 mars në selinë e OKB-së në Nju Jork, SHBA. Ky është organi më i lartë i sistemit ndërkombëtar statistik, që shqyrton dhe miraton standardet globale statistikore dhe tradicionalisht mbledh drejtorët e institucioneve statistikore nga të gjitha 193 vendet anëtare të Organizatës.

Gjatë takimit u shqyrtuan çështje kyçe të zhvillimit të statistikave zyrtare në të gjitha fushat statistikore, duke përfshirë llogaritë kombëtare, statistikat mjedisore dhe ndryshimet klimatike, statistikat sociale dhe demografike, statistikat shëndetësore, menaxhimin e të dhënave, studimin e mirëqenies, Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së dhe të tjera.

Përfaqësuesit e Entit Shtetëror të Statistikës morën pjesë edhe në disa ngjarje shoqëruese, që tradicionalisht paraprijnë ose zhvillohen paralelisht me seancën e Komisionit. Interes i veçantë ishte përdorimi i intelgjencës artificiale në statistikën zyrtare dhe në çfarë mase përdoruesit marrin të dhëna statistikore të sakta, në kohë dhe të rëndësishme kur përdorin IA. Kjo temë lidhet me ruajtjen e integritetit të statistikës zyrtare si një të mirë globale publike në një botë të udhëhequr nga inteligjenca artificiale.

Një ngjarje tjetër e rëndësishme ishte forumi me temë “Më shumë se PBB: rishikimi i progresit në një botë në ndryshim”, ku u shqyrtuan mundësitë për zhvillimin e indikatorëve shtesë që do të përdoren së bashku me prodhimin e brendshëm bruto (PBB) për të paraqitur më saktë dimensionet ekonomike, sociale, mjedisore dhe institucionale të zhvillimit të qëndrueshëm.

Përveç sesioneve formale, java u shënua edhe me një sërë takimesh bilaterale me drejtorë të zyrave statistikore dhe organizatave ndërkombëtare. Këto takime mundësojnë forcimin e 
partneriteteve, identifikimin e prioriteteve të përbashkëta dhe thellimin e bashkëpunimit brenda komunitetit global për të dhëna dhe statistikë.

Për më tepër, në prag të seancës së 57-të të Komisionit të Statistikave të OKB-së, z. Stankov mori pjesë në takimin e Grupit të Nivelit të Lartë për Partneritet, Koordinim dhe Ndërtim Kapacitetesh në Statistikë për Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030.

Ky takim ishte mundësi e rëndësishme për këtë grup të drejtuesve të lartë nga komuniteti i statistikës zyrtare për të shqyrtuar përgatitjet për Forumin Botëror të të Dhënave të OKB-së, duke përfshirë progresin në përgatitjet logjistike, programin paraprak (“Rruga drejt Riadit”), dokumentin përfundimtar dhe zgjedhjen e vendit pritës të ardhshëm.

Grupi gjithashtu shqyrtoi hapat e ardhshëm për zbatimin e Kornizës së Medellinit dhe aktivitetet e lidhura me financimin e zhvillimit, përfshirë përgatitjet për Forumin e Financimit të Zhvillimit në vitin 2026. Për më tepër, u diskutuan fushat ku grupi mund të ketë rol më të madh, duke u koordinuar me punën e Grupit Ndër-Agjencial Ekspert për Indikatorët e QZQ-ve (IAEG-SDGs) brenda iniciativës “Mësime nga një dekadë e monitorimit të QZQ-ve: Forcimi i kornizave globale për përshpejtim drejt vitit 2030”.

Fotogaleria

Lajmet e ngjajshme dhe publikimet

Nënshkrimi i Marrëveshjes për shkëmbimin e të dhënave

Si rezultat i bashkëpunimit afatgjatë të suksesshëm, sot drejtorët e Entit Shtetëror të Statistikës, Dr. Dejan Stankov dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike, Mr. Elena Petrova, nënshkruan Marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave ndërmjet dy institucioneve.

15 nën 2024

Thellimi i bashkëpunimit me UNICEF-in

Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, z. Dejan Stankov realizoi takim me përfaqësuesen e UNICEF-it në vendin tonë, znj. Lesli Miller dhe ekipin e saj, gjatë së cilës u njoh me aktivitetet e vazhdueshme të Zyrës së UNICEF-it në Shkup.

15 nën 2024