Enti Shtetëror i STATISTIKËS

Aktualitet

Enti Shtetëror i Statistikës mori pjesë në Konferencën e 110-të të DGINS në Split

Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimi i praktikave të mira në kuadër të Sistemit Statistikor Evropian

Delegacioni i Entit Shtetëror të Statistikës, i kryesuar nga drejtori, dr. Dejan Stankov, mori pjesë në Konferencën e Drejtorëve të Përgjithshëm të Instituteve Kombëtare të Statistikës në kuadër të Sistemit Statistikor Evropian, e cila u zhvillua në Split, Kroaci, me temën “Statistikat evropiane për turizmin: përgjigje inovative dhe vizionare ndaj nevojave të përdoruesve në shekullin XXI.”

Ngjarja u organizua nga Enti Shtetëror i Statistikës i Republikës së Kroacisë, në bashkëpunim me Eurostat-in, dhe përbën platformën kryesore evropiane për shkëmbimin e ideve, përvojave dhe praktikave të mira ndërmjet drejtorëve të instituteve kombëtare të statistikës.

Konferenca DGINS është ngjarje vjetore që bashkon ekspertët më të lartë të fushës së statistikës nga e gjithë Evropa. Ajo ofron mundësi për shkëmbim idesh, inovacionesh dhe praktikash më të mira ndërmjet institucioneve kombëtare statistikore, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe gjetjen e zgjidhjeve për sfidat e ndërlikuara statistikore. Programi i konferencës përfshiu gjithashtu diskutime tematike dhe aktivitete të shumta për bashkëpunim dhe rrjetëzim profesional.

Më 24 tetor 2025, gjatë qëndrimit në Split, drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, dr. Dejan Stankov, zhvilloi një takim dypalësh me drejtoreshën e Entit Shtetëror të Statistikës të Republikës së Kroacisë, znj. Lidija Brković, me rastin e shënimit të 150-vjetorit të themelimit të Entit Shtetëror të Statistikës së Kroacisë.

Gjatë takimit, të dy drejtorët shkëmbyen mendime dhe përvoja lidhur me sfidat dhe prioritetet aktuale në fushën e statistikës, duke theksuar gatishmërinë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet dy institucioneve.

Enti Shtetëror i Statistikës merr pjesë rregullisht në konferencat e DGINS, me qëllim ndjekjen e trendeve më të reja të statistikave evropiane, shkëmbimin e përvojave me institucionet pjesëmarrëse të Sistemit Statistikor Evropian dhe zbatimin e praktikave më të mira në prodhimin statistikor kombëtar.

Fotogaleria

Lajmet e ngjajshme dhe publikimet