Кonferenca statistikore “25 vite statistika gjinore”
Nga të dhënat e grumbulluara në mënyrë manuale deri te platformat bashkëkohore dixhitale, nga vjetarët statistikor në formë letre deri te bazat e hapura të të dhënave të disponueshme për të gjithë qytetarët – rruga që ka kaluar statistika zyrtare është me të vërtetë impresive
Me rastin e 25-vjetorit të themelimit të statistikave gjinore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe në kuadër të shënimit të jubileut “80 vjet Enti Shtetëror i Statistikave”, Organizata e Kombeve të Bashkuara për barazi gjinore dhe fuqizimin e grave – UN Women, në bashkëpunim me Entin Shtetëror të Statistikave, organizoi konferencën statistikore “25 vjet statistika gjinore”, në hotelin „Hilton DoubleTree“ në Shkup. Në këtë konferencë u diskutua për rëndësinë e të dhënave gjinore në krijimin e politikave të bazuara në fakte, si dhe për hapat e ardhshëm në avancimin e kësaj fushe të rëndësishme.
Një nder i veçantë për ne ishte që në konferencë fjalim përshëndetës mbajti edhe Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, znj. Gordana Siljanovska-Davkova. Ajo theksoi se statistikat gjinore janë thelbësore për politika të drejta, ndërsa grumbullimi dhe përdorimi i të dhënave gjinore është thelbësor për të kuptuar nevojat dhe potencialin e grave dhe burrave, si dhe për krijimin e politikave që eliminojnë diskriminimin dhe promovojnë barazinë.
Presidentja gjithashtu theksoi se është e nevojshme më shumë guxim, energji dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve për grumbullimin dhe përdorimin sistematik të të dhënave gjinore, veçanërisht për grupet e margjinalizuara dhe temat e ndjeshme.
Të pranishmit u përshëndetën edhe nga drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, z. Dejan Stankov, i cili theksoi se statistikat gjinore janë themel për krijimin e politikave të informuara dhe për monitorimin e barazisë. Ai vuri në dukje se gjatë 25 viteve të fundit është krijuar një sistem i të dhënave të ndara sipas gjinisë, i cili mundëson kuptimin më të mirë të dallimeve sociale dhe ekonomike mes burrave dhe grave. Këto të dhëna përdoren për të krijuar politika efektive, për të matur efikasitetin e tyre dhe për të rritur ndërgjegjësimin te vendimmarrësit për rëndësinë e barazisë gjinore.
Fjalime përshëndetëse mbajtën edhe znj. Vesna Ivanoviq-Kastared, udhëheqëse e Zyrës së UN Women në Maqedoninë e Veriut, si dhe znj. Ami Larson Jain, ambasadore e Mbretërisë së Suedisë në vendin tonë.
Enti Shtetëror i Statistikave shpreh mirënjohje të veçantë për Zyrën e UN Women dhe për Entin Suedez të Statistikave për bashkëpunimin në prodhimin e të dhënave të ndara sipas gjinisë.
Ngjarja qendrore e konferencës, e cila mblodhi një numër të madh politikbërësish, specialistësh të statistikave, përfaqësues të shoqërisë civile, komunitetit akademik dhe faktorë të tjerë relevantë, ishte promovimi i botimit më të ri të publikimit “Gratë dhe Burrat në Maqedoninë e Veriut, 2025”, që përfaqëson burim gjithëpërfshirës informacionesh dhe analizash të rëndësishme mbi dallimet gjinore në fushat e punësimit, arsimit, kujdesit shëndetësor dhe pjesëmarrjes në pozita udhëheqëse.
Konferenca vazhdoi me dy panel diskutime. Në panelin e parë me temë "Të dhëna gjinore për politika dhe vendimmarrje të bazuar në fakte", panelistë ishin: znj. Mira Todorova, ndihmës-udhëheqëse e sektorit në Entin Shtetëror të Statistikave; znj. Gabriela Maxhoska, udhëheqëse e njësisë për politika dhe buxhetim përgjegjës gjinor në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj; znj. Klaudia Villante, hulumtuese e lartë në ISTAT – Enti Kombëtar i Statistikave të Italisë dhe eksperte kombëtare në Institutin Evropian për Barazi Gjinore (EIGE); si dhe znj. Neslihan Onçul, udhëheqëse e njësisë për strukturë sociale dhe statistika gjinore pranë Institutit të Statistikave të Turqisë. Paneli u moderua nga znj. Vesna Ivanoviq-Kastared.
Në panelin e dytë, moderator ishte z. Dimitar Dimitrovski, koordinator për komunikim dhe njohuri në UN Women Maqedonia e Veriut, ndërsa panelistë ishin: znj. Ala Negruta, specialiste rajonale për statistika gjinore në UN Women për Evropën dhe Azinë Qendrore; znj. Maj Erikson Gote, këshilltare e lartë nga Projekti i Bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim statistikor, Enti Suedez i Statistikave; z. Fatos Grubi, aktivist për çështje gjinore; rrjeti "Stela", përfaësuese nga Butkamp-i për të dhëna gjinore; si dhe z. Stefan Tanevski, asistent në fushën e financave dhe ekonomisë në Fakultetin e Biznesit pranë Universitetit Kolegji Amerikan në Shkup, gjithashtu pjesëmarrës në Butkamp-in për të dhëna gjinore.
Konferenca “25 vjet statistika gjinore” ishte një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për të gjithë ata që punojnë në përparimin e barazisë gjinore përmes të dhënave dhe fakteve. Me fjalime frymëzuese, diskutime profesionale dhe shkëmbim të praktikave të mira, edhe një herë u vërtetua sa të rëndësishme janë të dhënat e ndara sipas gjinisë për krijimin e politikave më të drejta dhe më gjithëpërfshirëse.
Ky jubile nuk ishte vetëm një rast për shenim, por edhe një nxitje për investime të ardhshme në statistikë si mjet për ndryshime shoqërore. Enti Shtetëror i Statistikave mbetet i përkushtuar në zhvillimin e statistikave gjinore, me mbështetje të fuqishme nga partnerët dhe bashkëpunëtorët, në drejtim të krijimit të një shoqërie të barabartë për të gjithë.
Fotogaleria
Lajmet e ngjajshme dhe publikimet
Përfaqësues të Entit Shtetëror të Statistikës morën pjesë në Konferencën Evropiane për Cilësinë në Statistikat Zyrtare Q2026
Në konferencën e mbajtur në Shibenik, përfaqësuesit e Entit Shtetëror të Statistikës prezantuan përvojat e tyre në përdorimin e Platformës Kombëtare të Interoperabilitetit dhe morën pjesë në diskutimet mbi cilësinë, inovacionin dhe besimin në statistikat zyrtare
05 qer 2026
81 vite Enti Shtetëror i Statistikës: Në hap me standardet dhe vlerat evropiane
U mbajt konferenca “Statistika zyrtare maqedonase në prizmin e Kodit të Praktikës së Statistikave Evropiane”
02 qer 2026
Enti Shtetëror i Statistikave është përfshirë në “Generalka Weekend 2026”
Si një institucion I përgjegjshëm shoqëror, Enti Shtetëror i Statistikave mori pjesë aktive në “Generalka Weekend 2026” për krijimin e një mjedisi urban më të pastër dhe më të shëndetshëm
08 maj 2026
Konferenca e tretë rajonale e kontabilistëve dhe kontabilistëve të autorizuar “Gjeneratë me vizion – Profesion me të ardhme”
Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, z. Dejan Stankov, mori pjesë në Konferencën e Tretë Rajonale të Kontabilistëve dhe Kontabilistëve të Autorizuar, me temë: „Gjeneratë me vizion – Profesion me të ardhme“, e organizuar nga Instituti i Kontabilistëve dhe Kontabilistëve të Autorizuar
07 maj 2026
Takim edukativ me nxënësit e vitit të dytë nga SHME “Jane Sandanski” – Manastir
Njohje praktike me statistikat zyrtare në kuadër të programit mësimor
30 pri 2026