Akademi solemne "80 Vite Enti Shtetëror i Statistikës"
Nga të dhënat e mbledhura manualisht deri te platformat moderne dixhitale, nga librat vjetorë statistikorë në formë letre te bazat e të dhënave të hapura të disponueshme për të gjithë qytetarët - rruga që kanë ndjekur statistikat zyrtare është vërtetë mbresëlënëse

Në kuadër të festimit të jubileut të madh - 80 vite nga themelimi i Entit Shtetëror të Statistikës, më 2 qershor 2025, në hotelin Doubletree Hilton në Shkup u mbajtën disa ngjarje të rëndësishme.
Në Akademinë solemne me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Entit Shtetëror të Statistikës morën pjesë përfaqësues të lartë të Qeverisë, përfshirë Kryeministrin Z. Hristijan Mickoski, Ministren e Financave znj. Gordana Dimitrieska-Koçoska, Guvernatorin e Bankës Popullore, z. Trajko Sllaveski, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare si Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara.
Eventi u pasurua gjithashtu nga prania e drejtorëve dhe përfaqësuesve të enteve statistikore nga Evropa, përfshirë Slloveninë, Bullgarinë, Republikën Çeke, Hungarinë, Malin e Zi, Shqipërinë, Kosovën, Poloninë, Bosnjën dhe Hercegovinën, etj., si dhe anëtarëve të Këshillit Statistikor, komunitetit akademik, bashkëpunëtorëve dhe partnerëve të tjerë të Entit.
Para fillimit të Akademisë solemne, Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, z. Dejan Stankov dhe Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Hristijan Mickoski dhanë deklarata për media me rastin e përvjetorit, të cilat u pasuan nga fjalimet e tyre përshëndetëse, si dhe fjalimet e Udhëheqëses së Departamentit të Menaxhimit në emër të Delegacionit të Bashkimit Evropian, znj. Maria Kanellopulu dhe Koordinatores rezidente të Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut, znj. Rita Kolumbija.
Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Stankov theksoi: “Gjatë tetë dekadave të fundit, statistikat zyrtare nuk kanë qenë vetëm një mjet i administratës shtetërore - ato janë bërë dëshmi e historisë sonë, rritjes ekonomike, ndryshimeve demografike, trendeve shoqërore dhe çdo përpjekjeje për të ndërtuar një të nesërme më të mirë. Nga të dhënat e mbledhura manualisht deri te platformat moderne dixhitale, nga librat vjetorë statistikorë në formë letre te bazat e të dhënave të hapura të disponueshme për të gjithë qytetarët - rruga që kanë ndjekur statistikat zyrtare është vërtet mbresëlënëse.”
Kryeministri, z. Hristijan Mickoski, në fjalën e tij përshëndetëse, deklaroi: “Statistikat zyrtare janë çelësi i zhvillimit të shtetit dhe proceseve demokratike. Ato nuk ofrojnë vetëm numra, por janë një busull që na ndihmon të kuptojmë realitetin dhe të marrim vendimet e duhura për të ardhmen. Prandaj, i uroj Entit Shtetëror të Statistikës edhe shumë vite të tjera suksesi, me angazhim të vazhdueshëm ndaj saktësisë, transparencës dhe inovacionit, të cilat janë baza për ndërtimin e besimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë.”
Pjesa kryesore e programit u zhvillua në dy diskutime në panel me disa pjesëmarrës. Paneli i parë u moderua nga znj. Apollonija Oblak-Flander, Drejtoreshë e Entit Statistikor të Sllovenisë, dhe u përqendrua në harmonizimin e statistikave zyrtare me rregulloret dhe metodologjitë evropiane, si dhe në sfidat dhe mundësitë për arritjen e qëndrueshmërisë dhe krahasueshmërisë së të dhënave statistikore në nivel evropian. Në panel diskutimin morën pjesë drejtorët dhe përfaqësuesit e enteve statistikore nga Bullgaria, Republika Çeke, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova.
Paneli i dytë, i moderuar nga Presidenti i Entit Statistikor Çeke, z. Marek Rojiçek, trajtoi të ardhmen e statistikave zyrtare dhe rolin e transformimit dixhital në zhvillimin e sistemeve statistikore. Në diskutim morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i ESSH-së, z. Stankov, dhe përfaqësues nga Polonia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Hungaria.
Eventi përfundoi me përfundime të përbashkëta dhe mbyllje zyrtare, e ndjekur nga një drekë solemne.
Dëshirojmë të theksojmë se festimi i përvjetorit "80 vite i Entit Shtetëror të Statistikës" realizohet me mbështetjen dhe partneritetin vetëmohues të Entit të OKB-së për Barazi Gjinore dhe Fuqizimin e Grave - UN Women, për të cilin shprehim mirënjohjen tonë të veçantë.
Këto aktivitete konfirmojnë rolin e rëndësishëm të Entit Shtetëror të Statistikës si institucion qendror në mbledhjen, përpunimin dhe shpërndarjen e të dhënave relevante dhe të besueshme, si dhe përkushtimin e Entit ndaj integrimit në Bashkimin Evropian dhe avancimin e punës së tij sipas standardeve më të larta evropiane dhe botërore.
Fotogaleria





















Lajmet e ngjajshme dhe publikimet
Nënshkrimi i Marrëveshjes për shkëmbimin e të dhënave

Si rezultat i bashkëpunimit afatgjatë të suksesshëm, sot drejtorët e Entit Shtetëror të Statistikës, Dr. Dejan Stankov dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike, Mr. Elena Petrova, nënshkruan Marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave ndërmjet dy institucioneve.
15 nën 2024
Thellimi i bashkëpunimit me UNICEF-in

Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, z. Dejan Stankov realizoi takim me përfaqësuesen e UNICEF-it në vendin tonë, znj. Lesli Miller dhe ekipin e saj, gjatë së cilës u njoh me aktivitetet e vazhdueshme të Zyrës së UNICEF-it në Shkup.
15 nën 2024
Të dhëna statistikore në përputhje me nevojat e përdoruesve dhe standardet ndërkombëtare

Qëllimi i zhvillimit të këtij projekti është përdorimi i statistikave zyrtare për krijimin e politikave që do të përmirësojnë kushtet e jetesës, si dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së politikave publike
12 nën 2024
PxWeb konferenca ndërkombëtare

Dje dhe sot (7-8 nëntor) në Shkup mbahet Konferenca e 33-të Ndërkombëtare Vjetore për përdoruesit e PxWeb dhe Px-tools tjera. Enti Shtetëror i Statistikës është bashkë mikpritës i ngjarjes, së bashku me Statistikat e Suedisë
08 nën 2024
Raporti i Progresit të Komisionit Evropian mbi kapitullin 18 Statistika për vitin 2024
Progres shtesë sivjet është shënuar në Raportin e kapitullit 18 të Statistikave, ku është vërejtur nivel i lartë i përputhshmërisë në infrastrukturën statistikore, ndërsa progres është shënuar në statistikat sektoriale.
05 nën 2024