Enti Shtetëror i STATISTIKËS

Aktualitet

Eurostat në vizitë në Entin Shtetëror të Statistikës

Në periudhën nga 19 deri më 21 tetor 2026, Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS) ishte nikoqir i misionit të dytë vjetor të Eurostatit për vitin 2026

Në periudhën nga 19 deri më 21 tetor 2026, Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS) ishte nikoqir i misionit të dytë vjetor të Eurostatit për vitin 2026. Delegacioni u kryesua nga Veronik van der Zande, zyrtare përgjegjëse për vendin tonë, dhe Ana Maria Mancho Rojo, zëvendës-zyrtare përgjegjëse.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e Eurostatit u njohën me aktivitetet aktuale, rezultatet e arritura dhe përparimin e Entit Shtetëror të Statistikës në zbatimin e standardeve evropiane të statistikave, si dhe me prioritetet dhe sfidat që lidhen me zhvillimin e mëtejshëm të statistikave zyrtare.

Në kuadër të misionit u mbajtën takime pune me udhëheqësinë dhe përfaqësuesit e sektorëve të Entit Shtetëror të Statistikës, gjatë të cilave u prezantuan aktivitetet në fusha të ndryshme statistikore, rezultatet e arritura dhe planet e ardhshme për përmirësimin e proceseve statistikore dhe të cilësisë së të dhënave.

Në disa nga takimet morën pjesë edhe përfaqësues të Bankës Popullore dhe të Ministrisë së Financave, si institucione anëtare të Sistemit Kombëtar Statistikor. Diskutimet u përqendruan në shkëmbimin e informacionit, koordinimin ndërinstitucional dhe forcimin e bashkëpunimit me qëllim përmbushjen e kërkesave evropiane në fushën e statistikave.

Vëmendje e veçantë iu kushtua detyrimeve që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, harmonizimit me standardet evropiane të statistikave dhe forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Entit Shtetëror të Statistikës dhe Eurostatit. Përfundimet e misionit paraqesin një kontribut të rëndësishëm në përgatitjen e Raportit vjetor të Komisionit Evropian për përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të Kapitullit 18 – Statistika.

Gjatë misionit të dytë vjetor u konstatua përparimi i konsiderueshëm i arritur nga Enti Shtetëror i Statistikës në periudhën nga shkurti deri në shtator të vitit 2026. Aktivitetet që në shkurt ishin në fazën fillestare ndërkohë janë realizuar, ndërsa sfidat e identifikuara janë tejkaluar ose janë adresuar përmes zgjidhjeve të konsoliduara dhe funksionale.

Veçanërisht e rëndësishme është që ky përparim është arritur në kushte të burimeve të kufizuara njerëzore dhe financiare, gjë që dëshmon më tej përkushtimin e ESHS, përgjegjësinë e tij institucionale dhe pronësinë mbi proceset e veta. Rezultatet e arritura pasqyrojnë aftësinë e institucionit për t'i shfrytëzuar në mënyrë efikase kapacitetet në dispozicion dhe për të siguruar vazhdimësinë në zbatimin e reformave, pavarësisht kufizimeve ekzistuese.

Fotogaleria

Lajmet e ngjajshme dhe publikimet

Кonferenca statistikore “25 vite statistika gjinore”

Nga të dhënat e grumbulluara në mënyrë manuale deri te platformat bashkëkohore dixhitale, nga vjetarët statistikor në formë letre deri te bazat e hapura të të dhënave të disponueshme për të gjithë qytetarët – rruga që ka kaluar statistika zyrtare është me të vërtetë impresive

04 qer 2025

Akademi solemne "80 Vite Enti Shtetëror i Statistikës"

Nga të dhënat e mbledhura manualisht deri te platformat moderne dixhitale, nga librat vjetorë statistikorë në formë letre te bazat e të dhënave të hapura të disponueshme për të gjithë qytetarët - rruga që kanë ndjekur statistikat zyrtare është vërtetë mbresëlënëse

03 qer 2025