Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës në konferencë ndërkombëtare për informacionet gjeohapësinore në Kishinau, Moldavi
U prezantuan përvojat dhe zgjidhjet e reja të ESHS për avancimin e prodhimit dhe diseminimit të të dhënave statistikore
Në kuadër të vizitës në Kishinau, Moldavi, drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS), dr. Dejan Stankov, më 24 shtator 2026 mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë „Shfrytëzimi i informacioneve gjeohapësinore për prodhim dhe diseminim të avancuar të të dhënave statistikore në mbështetje të integrimit në BE“, të organizuar nga Byroja Kombëtare e Statistikës së Moldavisë, me mbështetjen e Eurostatit.
Në Konferencë morën pjesë përfaqësues të Eurostatit, organizatave ndërkombëtare, institucioneve kombëtare të statistikës dhe institucioneve përgjegjëse për informacionet gjeohapësinore, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira për integrimin e informacioneve statistikore dhe gjeohapësinore dhe përdorimin e tyre për modernizimin e statistikave zyrtare.
Temë kryesore e Konferencës ishte integrimi i të dhënave statistikore dhe hapësinore si faktor i rëndësishëm për avancimin e prodhimit dhe diseminimit të statistikave zyrtare. Informacionet gjeohapësinore ofrojnë dimensionin e rëndësishëm të të dhënave statistikore „KU“, duke mundësuar prodhimin e informacioneve statistikore më relevante, më të detajuara dhe të pasuruara në aspektin hapësinor, si dhe përmirësimin e qasshmërisë dhe përdorshmërisë së tyre.
Konferencën e hapën z. Oleg Kara, drejtor i përgjithshëm i Byrosë Kombëtare të Statistikës së Moldavisë, dhe znj. Kristina Gerasimov, zëvendëskryetare e Qeverisë së Republikës së Moldavisë, përgjegjëse për integrimin evropian. Në Konferencë fjalim mbajti edhe drejtoresha e Eurostatit, znj. Mariana Koceva, e cila theksoi rëndësinë gjithnjë e më të madhe të të dhënave gjeohapësinore dhe mundësitë që ofrojnë arritjet bashkëkohore teknologjike për integrimin e tyre me informacionet statistikore.
Në kuadër të Konferencës, dr. Dejan Stankov prezantoi përvojat dhe aktivitetet e planifikuara të Entit Shtetëror të Statistikës, me theks të veçantë në zhvillimin e zgjidhjeve të reja bashkëkohore për diseminimin dhe lehtësimin e qasjes në të dhënat statistikore zyrtare.
Në këtë kontekst, u prezantua edhe produkti i ri i Entit Shtetëror të Statistikës – Asistenti Statistikor me inteligjencë artificiale, një zgjidhje e bazuar në inteligjencën artificiale, e cila u mundëson përdoruesve të kenë qasje në të dhënat statistikore zyrtare nga baza MAKSTAT përmes gjuhës natyrore, pa pasur nevojë të njohin strukturën e bazës së të dhënave ose terminologjinë specifike statistikore.
Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës pati nderin të moderojë sesionin „Sfidat që lidhen me qasshmërinë në banim – përgatitjet për Regjistrimin e popullsisë dhe banesave, 2031“, kushtuar sfidave që lidhen me qasshmërinë në banim dhe përgatitjeve për Regjistrimin e popullsisë dhe banesave në vitin 2031.
Pjesëmarrja e drejtorit të ESHS-së në këtë Konferencë paraqet kontribut në shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e modernizimit të statistikave zyrtare, zbatimit të teknologjive inovative dhe integrimit të burimeve të ndryshme të të dhënave, me qëllim përmirësimin e cilësisë, relevancës dhe qasshmërisë së të dhënave statistikore dhe mbështetjen e procesit të integrimit evropian.
Fotogaleria
Lajmet e ngjajshme dhe publikimet
Nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit midis Entit Shtetëror të Statistikës dhe Fakultetit të Sigurisë - Shkup
Drejtori dhe punonjësit e Entit Shtetëror të Statistikës u prezantuan para studentëve të pranishëm me prezantimet e tyre në lidhje me pozicionin dhe rolin e Entit në shoqëri, rëndësinë e statistikave zyrtare, sistemin statistikor kombëtar dhe statistikat e krimit
25 pri 2025
Vizitë e studentëve nga Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik
Prezantimi, i përgatitur nga ekspertët e Entit Shtetëror të Statistikës, përfshiu aspektet kyçe të procesit të përzgjedhjes së mostrave, grumbullimit të të dhënave dhe përpunimit të tyre.
22 pri 2025
Vizitë e studentëve nga Instituti i Sociologjisë pranë Fakultetin Filozofik – Shkup
Ky lloj bashkëpunimi ndërmjet komunitetit akademik dhe Entit Shtetëror të Statistikës është i një rëndësie të veçantë për avancimin e njohurive dhe aftësive praktike të sociologëve të ardhshëm
16 pri 2025
Hapet Qendra e Re për Trajnim me mbështetje nga Statistika e Suedisë
Qendra ofron kushte moderne për edukim, bashkëpunim dhe zhvillim profesional në statistikë, e cila është e hapur për punonjësit e Entit, si dhe për komunitetin akademik, mediat dhe përdoruesit e tjerë të të dhënave statistikore.
10 pri 2025
Nga të dhënat statistikore në politika efektive
Të dhënat duhet të jenë bazë për krijimin e politikave të bazuara në prova, për të arritur një zhvillim më inkluziv dhe të drejtë.
01 pri 2025